Aktivitete ne Llogara
Aktivitete ne Llogara. Të shkosh në plazhet e gjirit të Vlorës dhe të mos lësh një pjesë nga koha jote për në Llogara, mos thuaj që isha në Vlorë. Një vakt në Llogara, mëngjes apo drekë, është një kënaqësi mbresëlënëse. Ushqimet blegtorale bio këtu janë fantastike. Nga mishi i pjekur në hell, nga djathi, gjiza, salca e lëkurës e deri te arapashi, gatim tradicional i zonës me të përbrendshmet e qengjit, miell misri dhe gjalpë.
Kënaqësia tjetër më e madhe, është rruga që mbi Dukat e deri në qafë sipër, ku duket Riviera, fshatrat e Himarës, Korfuzi dhe brigjet e Jonit.
E shijon këtë mrekulli me makinë, natyrisht duke ecur ngadalë, por edhe duke zbritur here pas here nga makina për të marrë një dorë çaj apo rigon mali, apo për të soditur pishat, që për shkak të erës, i ngjajnë një flamuri të shpalosur, dhe bash për këtë ato quhen pisha flamur.
Në qoftë se je i ngeshëm dhe kurioz mund të hysh thellë në pyll dhe të relaksohesh me pamjet e mrekullueshme dhe bimësinë që gjen atje.
Llogaraja është shfrytëzuar si vend pushimi që në periudhën komuniste. Këtu ishin ndërtuar kampe pushimi për punonjësit dhe për fëmijët.
Tani aty është krijuar një zonë e bukur turistike me hotele, motele, restorante dhe mjedise argëtuese çlodhëse dhe argëtuese. Vegjetacioni i dendur dhe klima e freskët në verë dhe e ashpër në dimër, e bëjnë këtë vend nga më të vizitueshmit në Shqipëri.
Parku Kombëtar i Llogarasë
Gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Ai përmbledh një sipërfaqe prej 1,010 ha. Ajri i freskët e i shëndetshëm, pamja e mrekullueshme e drurëve halorë i japin këtij parku vlera turistike e kombëtare. Nga të huaj e vendas cilësohet si një nga vendet më të bukura të Rivierës Shqiptare. Parku i Llogarasë përbëhet nga dru halore, pisha e zezë, bredhi, lisi, mëllenja e butë e robulli.
Ështe shpallur monument natyror dhe kulturor në vitin 1966, po në atë vit ka marrë dhe statusin e parkut kombëtar. Prej disa vitesh në park funksionojnë një sërë objektesh turistike të cilët kënaqin kërkesat e turistëve.
Shiko edhe: https://hotelkeshtjella.com/blog/
Burimi: http://www.gazetadita.al/ne-llogara-jo-vetem-per-nje-kafe/